Dërgohet për gjykim penal nga Prokuroria Drejtorja e Përgjithshme e Spitalit Memorial Fier, Rudina Degjoni. Ajo akuzohet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Nga hetimet është provuar se e pandehura në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi dhe në mungesë të miratimit nga Ministria e Shëndetësisë, ka lejuar kryerjen e paligjshme të procedurës së botoksit të stomakut te pacientët në këtë spital public. Preparatet mjekësore të botoksit të stomakut nuk janë blerë nga vetë spitali me procedura të ligjshme të prokurorimit publik, por janë gjetur në rrugë jashtë spitalore për të cilat pacientët kanë bërë pagesat e tyre.
Mungesa e kryerjes së procedurave të ligjshme të prokurimit publik, ka sjellë mungesën e verifikimit në këtë spital të dokumentacionit përkatës lidhur me verifikimin e datës së skadencës dhe vendit të origjinës së preparateve, duke sjellë kryerjen e kësaj procedure jashtë çdo lloj standardi ligjor dhe teknik te pacientët, duke mbartur rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe duke dëmtuar interesat dhe imazhin e një një institucioni shëndetësor publik.