Opozita ka depozituar në total 45 amendamente për buxhetin e vitit 2025, i cili pritet të miratohet në tërësi në seancën e 3 dhjetorit. Gjashtë amendamente janë depozituar nga deputetët e ‘Djathtas 1912’ Arbi Agalliu, Enkelejd Alibeaj, Flutura Açka dhe Selaudin Jakupllari.
Pesë ligjvënësit kërkojnë rritje fondesh për ish të përndjekurit politikë, për kompensimet për ish pronarët, për zhvillimin e sportit dhe rinisë, rritje me 30 për qind të buxhetit për bujqësinë, rritje të indeksimit dhe bonusit të pensionistëve si dhe shtim fondesh për arsimin e mesëm profesional.
Ndërkohë dy deputetët e Partisë së Lirisë, Petrit Vasili dhe Erisa Xhixho kanë depozituar njëmbëdhjetë amendamente përmes së cilëve kërkojnë rritje të mbështetjes financiare për shërbimin e onklogjisë për barnat dhe pajisjet mjekësore, shtesë në buxhet për arsimin bazë, rritje e ndihmës ekonomike për paaftësine dhe papunësinë, rritje pagash, shtesë për arsimin e mesëm, universitar, bujqësinë, shkencën dhe sportin.
Ndërkohë Partia Demokratike, ka depozituar 28 amendamente. Me firmën e Flamur Nokës, kërkohet caktimi i një minimumi jetik në nivelin e 200 eurove.Gazment Bardhi kërkon rritje të pensioneve dhe bonuseve për të moshuarit.
Pas punimeve të komisionit hetimor, kryetarja Albana Vokshi kërkon pezullimin e pagesave buxhetire për tre PPP në shëndetësi përveç dializës. Sa i takon shëndetësisë, Vokshi ka depozituar amendament edhe për qeset tumoriale dhe rimbursimin LMC.
Deputetja Zheni Gjergji kërkon rritje të fondeve të ilaçeve të onkologjikut dhe rritje me 50 për qind të fondeve për barnat e rimbursueshme. Amendamenti i Jorida Tabakut ndalet në kompensimin nga shfuqizimi i euros duke krijuar një paketë mbështetëse financiare për prodhuesit vendas në nivelin e pesë miliardë lekëve.