Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha të enjten se aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme se cilido politikan apo një palë zgjedhjesh dhe se rrezikimi dhe cënimi i tyre, cënon vet Kosovën.

Presidentja Osmani gjatë fjalimit vjetor në Parlamentin e Kosovës, vuri theksin te ruajtja e marrëdhënieve me aleatët e Kosovës dhe procesi i bisedimeve me Serbinë.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian disa herë kanë tërhequr vërejtjen se veprimet e autoriteteve të Kosovës në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe, kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit dhe kanë paralajmëruar Prishtinën se mospajtimet pengojnë angazhimin e tyre për të ndihmuar përparimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.

Presidentja Osmani tha ndërkaq se dialogu me Serbinë i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, ka qenë jo i baraspeshuar dhe me një trajtim të padrejtë të Kosovës.

Presidentja Osmani ngriti siç tha edhe shqetësimet e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për të drejtat e fituara me marrëveshjen e Ohrit.

Ajo tha se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë kontributdhënësit kryesorë në demokratizimin dhe integrimin euro-atlantik të vendit.

 Osmani ngriti shqetësimin për dhunën ndaj grave. Ajo tha se forcimi i të gjitha strukturave e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë për të luftuar dhunën nga baza gjinore është thelbësor.

 Fjalimi i presidentes Osmani, nuk u ndoq nga deputetët e Partisë Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë, të cilët thonë se presidentja është duke i shërbyer agjendës politike të qeverisë dhe se ka dështuar të shërbejë si përfaqësuese e unitetit të popullit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds