Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor 2023 – 2024, banorët e fshatit Mbyet në Fier kanë protestuar paraditen e sotme për mungesën e mjetit të transportit për fëmijët e zonës. Ata kanë pohuar njëzëri se prej 15 vitesh, përgjatë gjithë vitit shkollor fëmijët e fshatit të tyre e zhvillojnë mësimin në shkollat 9- vjeçare “ Liri Gero” dhe “ Jani Bakalli” në Fier, 3 km larg. Edhe pse kemi bërë kërkesa të vazhdueshme për mjet transporti për fëmijët, situata vijon të mbetet e pandryshueshme pohojnë të indinjuar banorët teksa theksojnë se më problematike situata behet gjatë dimrit ku fëmijët detyrohen të udhëtojnë 6 km në ditë në këmbë, në kushte të vështira atmosferike.
Po sipas tyre, shkolla e fshatit Mbyet pas amortizimit të saj, u mbyll duke i detyruar fëmijët e zonës të zhvillojnë procesin mësimor në Fier, duke u kthyer në një problematikë madhorë veçanërisht për të moshuarit të cilët i shoqërojnë fëmijët në shkollë çdo ditë. Ata pohojnë gjithashtu se pengesë kryesore për mjetin e transportit mbetet rruga e amortizuar e fshatit, e cila është kthyer në makth kështu që prindërit i shoqërojnë vetë fëmijët në shkollë me automjetet e tyre. Kjo situatë shumëvjeçare duhet të marrë fund kanë pohuar banorët teksa kanë apeluar njëzëri për të gjitha institucionet përgjegjëse të marrin masat e nevojshme për zgjidhjen e kësaj situate.