Çmimi i ulët i luleshtrydhes ka ngritur mëngjesin e kësaj të shtune dhjetra fermerë në protestë. Të ardhur nga të gjitha fshatrat e njësisë administrative Frakull, ata janë bërë bashkë pasi i gjithë investimi po u shkon dëm. Ata pohojnë se për kultivuesit e luleshtrydhes ky është viti më i keq pasi kurrë më parë nuk ka ndodhur që në këtë periudhë të vitit cmimi të arrijë deri në 50 lekë për kilogramë ndërkohë që hedhin poshtë zërat se prodhimi i kësaj zone nuk është bio.
Përballë kësaj situate fermerët kanë kundërshtuar fuqishëm dhe politikat e pikave të grumbullimit të cilat sipas tyre po e vendosin cmimin sipas dëshirës teksa apelojnë njëzëri për të gjitha institucionet përgjegjëse që tu vijnë në ndihmë në këtë situatë të vështirë që po i con drejt falimentimit.
Ndërkohë tregtari Olsi Hamataj ka pohuar se ditët e fundit ka ndodhur kjo situatë për shkak të mbiprodhimit të luleshtrydheve edhe në vendet fqinje të cilat për të eleminuar prodhimin shqiptar kanë hedhur zërat që luleshtrydhet e vendit tonë janë me pesticide.
Teksa kanë bllokuar rrugën dhe kanë hedhur poshtë produktet e tyre fermerët kanë kërkuar që Ministria e Bujqësisë të ngrejë një komision për të verifikuar pesticidet që shiten në treg dhe nëse nuk plotësojnë kriteret të asgjësohen pasi kjo mungesë kintrolli po i penalizon së tepërmi fermerët.