Deputetët demokratë në mbështetje të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Gazment Bardhit mbajtën sot takimin e radhës në qytetin e Kukësit, ku opozita ka propozuar Emri Vatën.
Në përfundim të mbledhjes, në një prononcim për mediat Berisha tha se në këtë mbledhje u morën disa vendime, që sipas tij do të jetë Gazment Bardhi që do t’i ndajë për publikun.
Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve të Kukësit që të votojnë kandidatin e tij Emri Vata të dielën.
“U shpreh solidariteti i plotë me Emri Vatën, i cili garon në Bashkinë e Kukësit pas një demaskimi moral dhe të gjithanshëm të përfaqësuesit të Edi Ramës, i cili ishte një copy-paste i Edi Ramës. Emri Vata ka besimin e plotë të të gjithë deputetëve të PD, besim se ai votën do e kthejë në shërbime transparente dhe përkushtim për qytetarët e Kukësit.
Është rasti t’u bëj thirrje të gjithë kuksianëve, kudo që ndodhen, por që kanë qendrën e votimit në Kukës, të vijnë ditën e diel dhe me votën e tyre të firmosin fillimin apo agun e një ndryshimi të madh që e pret Shqipërinë. Në mbledhje u diskutua gjerësisht mbi axhendën parlamentare, u morën vendime të cilat zoti Bardhi do ua komunikojë. Unë them se ishte një mbledhje shumë e frytshme.”, u shpreh Berisha.