Në kohën kur tensionet janë rishfaqur në veriun e Kosovës, duke shqetësuar sërish ndërkombëtarët, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic priten në Bruksel për takime të ndara me shefen e re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.
Është specifikuar se takimet nuk zhvillohen në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, process ky i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Mbajtjen e tyre në këtë kohë trazirash të reja e konfirmoi zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme, Anita Hipper, e cila një ditë më parë iu përgjigj në një konferencë për shtyp pyetjeve lidhur me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit dhe të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi.
Përfaqësuesja e lartë e bllokut e ka cilësuar shpërthimin si sulm terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës dhe i fton të gjithë që të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës për të zbuluar autorët e sulmit dhe për nxjerrjen e tyre para drejtësisë.
EULEX-i nuk ka mandat ekzekutiv për të kryer hetime nga ana e tij, por se është duke e monitoruar situatën dhe ka qenë i pranishëm gjatë operacioneve të policisë së Kosovës.
Pas nisjës së mandatit të saj në krye të diplomacisë europiane në 1 dhjetor, Kallas tani duhet të vendosë se si të vazhdohet me procesin e dialogut, i cili ka nisur më 2011. Kurti dhe Vuçic, që këto ditë kanë shkëmbyer akuza të forta me njëri-tjetrin lidhur me sulmin në Zubin Potok, do të zhvillojnë edhe takime të ndara me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Kosta. Më vonë ata do të marrin pjesë në një darkë joformale që Kosta do të organizojë me të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor.