Në Maqedoninë e Veriut nuk do të mund të formohet Qeveria e re – pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit – pa një marrëveshje për votimin e ndryshimeve kushtetuese.

Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Bujar Osmani, kandidat për president të Maqedonisë së Veriut nga Fronti Evropian, që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

Osmani, i cili është edhe ministër i Punëve të Jashtme, pret që VMRO-DPMNE-ja opozitare, nëse arrin ta ketë shumicën në zgjedhjet parlamentare, të pajtohet me ndryshimet kushtetuese për të formuar Qeverinë, ndërsa kundërshtimin e deritanishëm të saj më tepër e sheh si qëndrim për të fituar pikë politike.

Osmani flet edhe për pretendimet mbi rreziqet ruse, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe këto të dhëna thotë se i ka nga qasja që gëzon në informacionet e aleancës veri-atlantike, NATO-s.

Ai thotë se kërcënimet ruse mund të kenë pasoja mbi marrëdhëniet ndëretnike, që sipas tij janë shtylla e stabilitetit dhe e sigurisë në Maqedoninë e Veriut.

Kandidati për president, Bujar Osmani flet edhe për vettingun e funksionarëve lidhur me korrupsionin, por edhe lidhjet e tyre me skenarë të jashtëm, si dhe me listën e zezë të Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, ai nuk ka një përgjigje të saktë se pse vettingu nuk nisi nga partia që ai përfaqëson, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e cila ka zyrtarë në listën e zezë, por që vazhdojnë të jenë aktivë në politikë dhe institucione.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Osmani, ku i bazoni pretendimet për ndikimin rus në vend?

Bujar Osmani: Unë jam ministër i Jashtëm i një vendi anëtar të NATO-s, që do të thotë se kam qasje në të gjitha informacionet që NATO-ja i ka në dispozicion. NATO-ja, në konceptin e saj strategjik, për herë të parë ka përcaktuar se Federata Ruse paraqet kërcënim për vendet anëtare të NATO-s. Megjithatë, nga të gjitha informacionet që kam, vërehet edhe një përfshirje e thellë e Federatës Ruse në sistemin e brendshëm politik dhe institucional. Tashmë janë krijuar qendra të ndikimit të fortë në rajon, por edhe në vendin tonë. Ato kanë ndikim të fortë në partitë politike, Federata Ruse ka një ndikim të fortë në kandidatët për president.

Unë personalisht kam shpallur persona non grata [të padëshirueshëm] mbi 17 diplomatë rusë gjatë kësaj periudhe, sepse janë kapur duke shkelur rregullat e Konventës së Vjenës.
Radio Evropa e Lirë: Për cilët kandidatë presidencialë e keni fjalën?

Bujar Osmani: Mendoj se është një kandidate që drejtpërdrejt e ka parë largimin e vendit tonë nga NATO-ja, partia e cila e propozoi atë për kandidate për presidente, gjithashtu, në platformën e saj e ka largimin nga NATO-ja dhe ky është në interes të drejtpërdrejtë të Rusisë.

Ambasadori rus është i pranishëm në të gjitha organizimet e tyre ku promovojnë politikat e tyre, por ka edhe parti të tjera që janë më pak të dukshme, por ka politikanë edhe në parti të mëdha që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me interesat ruse.

Ambasadori rus në Podgoricë shprehu qartë qëndrimin se anëtarësimi në Bashkimin Evropian tashmë konsiderohet një kërcënim për sigurinë kombëtare ruse. Ky është një “ndryshim” i madh në qëndrimin e Federatës Ruse në lidhje me anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Dhe kur sheh parti në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe politikanë që haptazi bëjnë komplote për të bllokuar procesin integrues evropian, duke minuar Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshjen me Bullgarinë, Marrëveshjen Kornizë, atëherë e keni të qartë se Federata Ruse ka gjetur elementë në vend me të cilët dëshiron të pengojë integrimin evropian të vendit, sepse kjo sipas tyre paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare.
Radio Evropa e Lirë: Cilat janë rreziqet e mundshme të sigurisë në vend nga ndikimi rus për të cilin flisni?

Bujar Osmani: E para është prishja e marrëdhënieve ndëretnike. Marrëdhëniet ndëretnike janë shtylla e stabilitetit, paqes dhe përparimit të këtij vendi. Pastaj është shkelja, gjegjësisht shembja e marrëveshjeve që janë edhe shtyllat e Maqedonisë euroatlantike, sikurse Marrëveshja e Prespës për fqinjësi të mirë, dhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit. E gjithë kjo është një kërcënim për shtetin.

Sigurisht që njerëzit thonë se ne jemi anëtarë të NATO-s. Po, NATO-ja ndërton qëndrueshmëri. NATO-ja krijon siguri politike dhe ekonomike, por shpesh them se Estonia është gjithashtu anëtare e NATO-s. Por, Estonia po ndërton bunkerë përgjatë kufirit me Rusinë, sepse konflikti dhe lufta mes NATO-s dhe Federatës Ruse janë të mundshme.

Radio Evropa e Lirë: Ju paralajmëruat vettingun me ndihmën e Bordit Ndërkombëtar të Zyrtarëve, për shkak të ndikimit rus. Si planifikoni ta zbatoni atë në praktikë?

Bujar Osmani: Nga e mora frymëzimin për atë ide me certifikatat e NATO-s? E dini, për të qenë ministër i Jashtëm, duhet të keni një certifikatë të NATO-s. Ekzistojnë disa shkallëzime të certifikatave të NATO-s. Nga ‘Confidential Restrictive’ deri te ‘Cosmic Top Secret’, që është kulmi i certifikimit të NATO-s. Në Maqedoninë e Veriut jemi dy persona që e kemi certifikatën ‘Cosmic Top Secret’.

Për të marrë një certifikatë të tillë, ju nevojiten 32 shërbime të 32 vendeve anëtare të NATO-s për të konfirmuar se nuk keni, ose nuk përfaqësoni një interes rus, dhe nuk jeni të përfshirë në korrupsion. Dhe unë e kalova atë proces verifikimi, përmes intervistave me palët e interesuara të NATO-s, përmes inspektimeve të 32 shërbimeve të NATO-s, dhe nga këtu thashë, nëse është e mundur, pse të gjithë ne mbajtësit e posteve publike nuk kalojmë në atë filtër?

Dhe kështu si president, gjëja e parë që do të bëj është të propozoj një bord vendor dhe ndërkombëtar, në të cilin do të përdoren sa më shumë mekanizmat e SHBA-së, listat e zeza, pasi ne kemi një dialog strategjik dhe tashmë mund të mbështetemi në instrumente të tilla, në Bashkimin Evropian përmes mekanizmave të tij kufizues, dhe në NATO përmes sistemit të tij të verifikimit.

Dhe çdo politikan që propozohet nga palët ose një prokuror, gjykatës, fillimisht duhet të kalojë nga ky bord, të kalojë të gjitha ato filtra, të kontrollohet nëse janë të përfshirë në korrupsion, nëse përfaqësojnë ndonjë interes rus, nëse jo, atëherë ajo certifikatë të jetë e detyrueshme për të fituar të drejtën për të mbajtur postin publik në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Radio Evropa e Lirë: A prisni vërtet që bashkësia ndërkombëtare të pranojë të marrë pjesë në një proces të tillë?

Bujar Osmani: Po, sepse tani ajo është dakord. Për shembull, këto certifikata të NATO-s janë në të ashtuquajturën ‘’need to know basis’’, vetëm ata që kanë qasje në dokumentet e NATO-s. Kur kishim problem me një diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme, vendosa që të gjithë ambasadorët që janë në vendet anëtare të NATO-s të kalojnë në atë vetting, të marrin certifikatën e NATO-s dhe aleanca pranoi.

Kam kërkuar nga të gjithë ambasadorët të aplikojnë për një certifikatë të NATO-s. Ata që nuk kalojnë, nuk mund të jenë ambasadorë.

Radio Evropa e Lirë: Sa i përket korrupsionit, në zgjedhjet e fundit, ju dhe përfaqësues të partisë suaj, keni paralajmëruar vetting për zyrtarët lidhur me korrupsionin. Kjo nuk ndodhi. Ndërkohë, një anëtar i partisë suaj është futur në listën e zezë të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara. Pse duhet t’ju besojnë qytetarët tani që po flisni për vettingun?

Bujar Osmani: Sepse, ne propozuam një ligj, propozuam ligjin e vettingut. Mirëpo këtu, prej katër vjetësh partitë politike nuk e miratojnë. Pra, po, kjo është arsyeja pse tani ne po e çojmë atë në një nivel tjetër. Gjëja e parë që bëmë, që bëra unë, ishte fillimi i dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara, ku shteti i së drejtës është një nga elementet bazë. A nuk filloi SHBA-ja me listat e zeza? Është pjesë e dialogut strategjik. Sa i përket Bashkimit Evropian, ne e kemi harmonizuar politikën tonë të jashtme 100 për qind.

Ne i kemi pranuar të gjitha vendimet e BE-së për sanksionet dhe kufizimet. Edhe në raport me NATO-n. Ne i kërkuam drejtpërdrejt Bashkimit Evropian që të na ndihmojë të verifikojmë.

Fatkeqësisht, në atë kohë, Bashkimi Evropian mendonte se nuk duhej bërë vettingu për shkak të përvojës së keqe me Shqipërinë, e cila shkatërroi sistemin ligjor dhe gjyqësor. Thjesht mbaroi pa gjyqtarë, sepse shumë pak kaluan filtrin e vettingut.

Tani mendoj se edhe ndërkombëtarët janë të bindur se për të bërë një spastrim serioz në skenën politike, publike, gjyqësore duhet të bëjmë një vetting serioz.
Radio Evropa e Lirë: Ju thoni se keni jeni vepruar si ministër. Pse nuk bëhet kjo në partinë tuaj? Ramiz Merko është ende kryetar komunal, edhe pse është në listën e zezë amerikane.

Bujar Osmani: Ja çfarë bëmë. Pra, ne jemi e vetmja parti që kërkuam publikisht nga Prokuroria, më pas nga të gjitha institucionet e tjera, që duke filluar nga ne, nga presidenti e deri tek i fundit, të bëjmë një vetting serioz.

Ne instrumentet e SHBA-së i mirëpritëm, unë jam ai që propozova ligjin për kufizimet dhe ndryshimin e tij për të përfshirë listën amerikane si bazë për të hequr mundësinë e mbajtjes së posteve publike. Ai ligj u miratua nga Qeveria me propozim të Ministrisë së Jashtme dhe sot është në Parlament. Pra, nuk ka asnjë instrument që nuk e kemi promovuar dhe që nuk jemi përpjekur ta zbatojmë.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni qenë 10 vjet ministër, jeni pjesë e pushtetit ekzekutiv. Si kandidat presidencial, pra nëse qytetarët ju zgjedhin president, si do të jeni korrigjues i pushtetit ekzekutiv?

Bujar Osmani: Unë dua të jem krijuesi i konsensusit shtetëror mbi të gjitha. Këto do të ishin javët e para të presidencës sime. Takime të vazhdueshme me liderë të partive politike dhe aktorë të tjerë të shoqërisë. Për të bërë disa strategji për konsensusin shtetëror për çështjet kyçe.

Nuk ka braktisje të takimeve. Nuk mbarojnë takimet derisa të japim dorën, se do të kemi një garë të përditshme politike për modelin e kujdesit shëndetësor, të edukimit, por jo edhe për drejtimet e shtetit.

Këtu nuk mund të ndryshojmë në lidhje me Bashkimin Evropian, ato direktiva dhe rregullore janë të fiksuara. Ne ose i pranojmë ose jo. Duhet të shtrëngojmë duart se nuk do të konkurrojmë me Bashkimin Evropian.

Ne nuk do të konkurrojmë në aspektin e marrëdhënieve ndëretnike. Ne nuk do të konkurrojmë sa i përket stabilitetit të vendit. Dhe kjo është gjëja më e rëndësishme që duhet të arrij.

Dhe sigurisht që do të jem korrigjues duke promovuar këto politika të rëndësishme për qytetarët. Nëse dikush devijon nga ato politika, ai do të ketë kundërshtarin e tij më të madh tek unë.

Radio Evropa e Lirë: Përfshirë partinë tuaj?

Bujar Osmani: Po, duke përfshirë edhe partinë time. Dhe kjo mbi të gjitha.

Radio Evropa e Lirë: Si do t’i vazhdojë vendi negociatat me Bashkimin Evropian kur amendamentet kushtetuese janë ende kusht?

Bujar Osmani: Nuk do të ketë Qeveri pa marrëveshje për ndryshimet kushtetuese. Është një deklaratë e qartë e të gjitha partive politike që konsiderojnë se Bashkimi Evropian është alternativa e vetme për ne. Pra, do të përdoren të gjitha opsionet, nga mundësia e formimit të një qeverie kombëtare deri tek ajo e shpëtimit.

Dhe prandaj them se konsensusi, konsensusi shtetëror, në këtë periudhë kritike, është më i rëndësishmi, sepse vendi është në udhëkryq, ne po zgjedhim mes dy drejtimeve. E ardhmja e ndritur në Bashkimin Evropian apo izolimi dhe mungesa e perspektivës.
Radio Evropa e Lirë: Kushdo që do t’i fitojë këto zgjedhje parlamentare, pa votat e deputetëve të VMRO-DPMNE-së, nuk mund të bëjë ndryshime kushtetuese dhe ata insistojnë që një vit gjysmë se nuk do të votojnë për ndryshime kushtetuese.

Bujar Osmani: Shikoni, unë nuk komentoj për partitë politike në periudhën parazgjedhore, sepse i kemi parë qëndrimet e tyre para dhe pas formimit të Qeverisë. E kam fjalën për sigurinë e Bashkimit Evropian, për sigurinë e Evropës, e cila varet shumë nga konsolidimi i sigurisë së Ballkanit.

Pra, po, kjo nuk është një çështje që na prek vetëm neve. Kjo është një çështje në të cilën kanë interes SHBA-ja dhe BE-ja. Marrëveshja me Bullgarinë, propozimi francez, pra korniza e negociatave, kalimi i deklaratës bullgare në Parlamentin bullgar, u bë me kontribut të madh të SHBA-së dhe BE-së. Kështu që, unë mendoj se kjo është një çështje shumë më e madhe sesa lojërat tona politike këtu.

Pas zgjedhjeve, presidenti do të krijojë një mundësi për konsensus shtetëror dhe do të nisë procesin e ndryshimeve kushtetuese për formimin e Qeverisë.
Radio Evropa e Lirë: Ju thoni se nuk doni të komentoni për partitë politike, sepse i keni parë se si sillen para dhe pas formimit të Qeverisë. Dhe a do të thotë kjo se VMRO DPMNE-ja pajtohet me ndryshimet kushtetuese në negociatat për formimin e Qeverisë, vetëm për formimin e qeverisë?

Bujar Osmani: Duhet të bjerë dakord. Nuk ka alternativë. Prandaj nuk i marr seriozisht këto përpjekje për të fituar pikë politike në këtë temë. Nga kjo nuk varet vetëm e ardhmja e Maqedonisë së Veriut, por edhe e ardhmja e Ballkanit dhe siguria e Evropës varen nga procesi i integrimeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Askush nuk do të lejojë që Ballkani të jetë një trampolinë për interesat ruse për të minuar sigurinë e Evropës. Ata politikanë nuk e kuptojnë gjeopolitikën, duan ta dëmtojnë këtë vend. Duhet të ketë ndryshime kushtetuese./REL

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds