Fermerët e Grabjanit në bashkinë e Divjakës këtë vit bujqësor kanë shtuar sipërfaqet e mbjella me këtë kulturë falë edhe subvencioneve të mara nga Ministria e Bujqësisë, si për karburantin, ashtu edhe për çdo hektar grurë të mbjellë. Në këtë zonë në zemër të fushës së Myzeqesë për kulturën e grurit janë mbjellë rreth 609 hektarë me grurë.
Sipas fermerëve prodhimi këtë vit është i mbarë dhe me nje mesatare nga 40 deri ne 45 kuintal për hektarë, ku prodhimi i pritshëm është rreth 2700 tonë grurë.
Përveç fermerëve që mbjellin deri në 5 apo 6 hektarë grurë duke marrë dhe toka me qera, ka edhe sipërmarrës që mbjellin deri ne 80 hektarë.
Çmimi i ulët i grumbullimit nga bizneset e grumbulluesve dhe fabrikat e miellit si dhe mungesa e magazinave për të ruajtur prodhimin, ka vënë në dilemë fermerët duke shtyrë sa më shumë afratin e korrjes së grurit ndoshta edhe përtej afateve teknike.
Çdo ditë vonesë në korrje çon në uljen e rendimentit, pasi rritja e temperaturave rrëzon kokrrat e grurit në tokë.
Në Lushnjë e Divjakë këtë vit bujqësor janë mbjellë rreth 11.300 hektarë grurë.