Sot në orën 10:25 minuta, ashtu si 112 vjet më parë në bashkinë e Lushnjës është bërë ngritja simbolike e flamurit nga kryetarja e bashkisë znj.Eriselda Sefa.Flamuri i Pavarësisë u ngrit 112 vjet më parë nga patriotët lushnjarë në sheshin kryesor të qytetit para bashkisë, me porosi të plakut të urtë Ismail Qemali që udhëtonte për në Vlorë.
Ishin të pranishëm deputetët e Lushnjës Lindita Buxheli dhe Bujar Çela, prefekti i qarkut Fier Arben Çuko, drejtues të policisë së shtetit, përfaqësues nga ministria e mbrojtjes, nga komunitetet fetare etj.Më pas u vendosën buqeta me lule në Obeliskun që përkujton patriotët lushnjarë që kryen këtë akt historik.
Zonja Eriselda Sefa u shpreh se këto data të rëndësishme ne duhet ti përcjellim tek brezat e rinj.Mesazhe e urime në këtë ditë feste shprehën deputetët e Lushnjës dhe prefekti i qarkut Fier.Lushnja e ngriti flamurin kombëtar një ditë më përpara, më 27 nëntor 1912, prandaj ky veprim simbolik organizohet pikërisht sot.Aktin e Shpalljes së Pavarasisë në 28 nëntor nga Ismail Qemali në Vlorë e kanë firmosur tre patriotë lushnjarë, Nebi Sefa, Ferid Vokopola dhe Qemal Mullai.