Prodhimi i serave ka mbaruar dhe ka filluar përgatitja për mbjelljet e vona, kurse në tregje ka disa ditë që kanë dalë prodhimet e fushës si domate, patëllxhani, speci etj. Fermerët pohojnë se duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çmimet e shitjes janë disa herë më të ulëta duke u sjellë humbje financiare.
Ata pohojnë gjithashtu , se prodhimet e tyre janë bio, pa pesticide ndaj konsumatori nuk duhet t’i konsumojë me frikë dhe theksojnë se nuk kanë përfituar asnjëherë subvencione nga shteti.
Kasëm Troka i cili kultivon perime, zarzavate por edhe nektarina i drejtohet Ministres së Bujqësisë dhe Kryeministrit që mos të rrinë mbyllur në zyra e të numërojnë turistët në plazhe, por të verifikojnë situatën në terren, pasi situata për fermerët është shumë e vështirë.
Të ndodhur para një situate të tillë, ku fermerët punojnë nga mëngjesi deri në mbrëmje, prodhojnë por nuk kanë treg të sigurt për të shitur prodhimin e tyre, indiferencën e organeve ligj zbatuese e konsiderojnë absurd, pasi po sjell jo vetëm toka djerrë, por edhe shpopullim të zonave rurale.