Bujqësia do të vuajë në vitet e ardhshme nga ndryshimet klimatike sipas disa raporteve ndërkombëtare. Të dhënat historike të 30 viteve të fundit tregojnë rritje të numrit të ditëve me temperatura mbi 35℃, dhe të netëve me temperatura mbi 20℃. Pranverat e nxehta siç kaluam këtë mars pritet të kenë efekte negative në rendimente sidomos gjatë verës ose gjatë pranverës në kulturën e ullirit

Sipas FMN, deri në vitin 2050, temperatura mesatare pritet të rritet nga 1.3-2.2℃, ndërsa reshjet do të ulen me 4,3%, por frekuenca e shirave të rrëmbyeshëm do të rritet rëndësishëm. Kjo gjë do të sjellë nevojën e ndryshimit të kulturave bujqësore më vonë. Sipas përfundimeve të analizës së FMN të dhjetorit 2022, rritja e efektivitetit të përdorimit të burimeve ujore është një prej masave më të rëndësishme që duhet të ndërmarrë bujqësia shqiptare. 

Ministria ka një plan veprimi për të minimizuar pasojat e ndryshimeve klimatike në vend dhe ndikimin te prodhimi. Është diskutuar dhe po vihet në zbatim me Bankën Botërore një fond i veçantë me vlerë prej 29 milionë eurosh, i cili i drejtohet pikërisht zvogëlimit të efekteve të ndryshimeve klimatike dhe rritjes të efektivitetit të përdorimit të burimeve ujore në të gjithë vendin.

Për herë të parë së bashku me Bankën Botërore do të ndërtohet Platforma digjitale për bujqësinë inteligjente për klimën. Kjo platformë grumbullon informacione për llojin e tokës, të dhëna hidrometeorologjike, praktikat bujqësore dhe synon drejtimin e fermerëve në praktika më të qëndrueshme bujqësore.

Përshembull fermerët e Divjakës do të modernizojnë ujitjen në skemën e ujitjes individuale së Divjakës, duke përdorur ujitjen me presion për  rreth 500 ha. (Do të nstalohen 468 matës me parapagesë për rreth 2000 familje që do të mundësojë tarifim sipas përdorimit të ujit). Gjithashtu do të Instalohen panele diellore 500 KWp pranë stacionit të pompimit Divjakë për të ulur kostot e pompimit.

Në këtë mënyrë do të rritet edhe më shumë konkurrueshmëria e bujqësisë së këtyre zonave përmes uljes së kostove të ujitjes kullimit, apo rritjes së efektivitetit të burimit të përdorur. Ulet gjithashtu edhe ndikimi i bujqësisë në mjedis.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds