NASA po kërkon të zhvillojë një gjeneratë të re të aeroplanëve komercialë me emetim të ulët që do të ofrojë një mënyrë udhëtimi më efikase dhe më të qëndrueshme.

Agjencia hapësinore ka porositur pesë projektime të reja si pjesë e iniciativës së saj të koncepteve të avancuara të aeroplanëve për qëndrueshmërinë mjedisore (AACES) 2050.

Bëhet e ditur se organizatat që kontribuojnë në konceptet e reja të dizajnit të aeroplanëve përfshijnë Aurora Flight Sciences të Boeing, kompaninë e hapësirës ajrore Electra, Institutin e Teknologjisë në Gjeorgji dhe startup-in e aviacionit JetZero dhe Pratt & Whitney.

“Nëpërmjet iniciativave si AACES, NASA është e pozicionuar për të shfrytëzuar një grup të gjerë perspektivash se si të rritet më tej efikasiteti i aeroplanëve, të zvogëlohet ndikimi mjedisor i aviacionit dhe të përmirësohet konkurrenca teknologjike e SHBA-së në vitet 2040, 2050 dhe më tej”, tha Bob Pearce, administrator i NASA-s për Drejtorinë e Misionit Kërkimor të Aeronautikës.

Siç raportohet, për të mbështetur pesë projektimet, NASA ka ofruar 11.5 milionë dollarë, shkruan Space, përcjell Telegrafi.

Çdo organizatë do të prezantojë ekspertizë unike në hartimin e një koncepti aeroplani të gjeneratës së ardhshme, duke filluar nga burimet alternative të karburantit deri te teknologjitë e shtytjes dhe dizajni i automjeteve aerodinamike.

“Si një lider në kërkimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të aviacionit në SHBA, këto çmime janë një shembull se si ne bashkojmë idetë më të mira dhe konceptet më inovative nga sektori privat, akademia, agjencitë kërkimore dhe palët e tjera të interesuara për të parë të ardhmen e aviacionit”, thuhet në deklaratën e NASA-s.

Zona e studimit e Aurora Flight Sciences do të shqyrtojë karburantet alternative të aviacionit, sistemet shtytëse, teknologjitë aerodinamike dhe konfigurimet e avionëve.

Ekipi i udhëhequr nga Electra do të eksplorojë shtytje elektrike si dhe veçori unike të dizajnit aerodinamik për trupin dhe krahët kryesorë të aeroplanit që do të ndihmojnë në reduktimin e emetimeve dhe zhurmës.

Studiuesit e Institutit të Teknologjisë në Gjeorgji do të fokusohen në teknologjitë e qëndrueshmërisë, duke përfshirë karburantet alternative, sistemet shtytëse dhe konfigurimet.

Ndërsa JetZero do të eksplorojë teknologjitë që mundësojnë përdorimin e hidrogjenit të lëngshëm si një burim karburanti për të reduktuar emetimet e gazeve serrë.

Fusha e studimit të Pratt & Whitney do të përfshijë teknologjitë e shtytjes së aviacionit, duke u fokusuar në përmirësimet e efikasitetit termik dhe shtytës për të reduktuar konsumin e karburantit dhe emetimet e gazrave që kontribuojnë në ngrohjen globale.

“Propozimet e përzgjedhura vijnë nga një grup i larmishëm organizatash që do të ofrojnë eksplorime emocionuese dhe të gjera të skenarëve, teknologjive dhe koncepteve që do të çojnë përpara aviacionin drejt qëllimeve të tij transformuese të qëndrueshmërisë”, tha Nateri Madavan, drejtor për Programin e Avancuar të Mjeteve Ajrore të NASA-s.

Ndryshe, konceptet e projektimit të aeroplanëve të zhvilluara përmes AACES mund të hyjnë në shërbim brenda 25 viteve të ardhshme.

Duke i bërë aeroplanët më pak të varur nga burimet tradicionale të karburantit që kontribuojnë në emetimet e gazeve serrë, NASA po ndihmon në mbështetjen e objektivit të SHBA-së për emetime neto të aviacionit deri në vitin 2050.

Këtu mund të gjeni detaje shtesë për secilin prej pesë studimeve të financuara nga NASA.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds