Që nga 15 korriku, kur filloi shtrenjtimi, nafta është rritur gjithsej me 21 lekë për litër (katër herë gjithsej), duke arritur në nivelin më të lartë që nga mesi i marsit të këtij viti. Para se të fillonte shtrenjtimi, kishte zbritur në 179 lekë. Operatorët e tregut pohojnë se tendenca është e lidhur me shtrenjtimin e karburantit në bursë, ku treguesi Platts, që merret si referencë nga importuesit shqiptarë, u mbyll të premten me 940 dollarë ton, që është niveli më i lartë që nga tetori i vitit 2022 dhe tendenca duket për shtrenjtim të mëtejshëm drejt 1000 dollarëve.
Sipas Financial Times çmimi i naftës në bursa arriti javën e kaluar në 85.3 USD për 74 dollarë që ishte në korrik.
Operatorët e tregut pohojnë se krahas shtrenjtimit në bursa, një tjetër faktor që i mban çmimet e larta në vend është barra e lartë e taksave që rëndojnë mbi naftën, që arrin në mbi 60% të çmimet.
Përveç TVSH-së, akcizës e taksës së qarkullimit, rreth 8 lekë të tjera për litër shkojnë për taksa të tilla si markim, skanim, kolaudim, rilicencim, që në pjesën më të madhe kanë rezultuar të panevojshme.
Vetëm ditët e fundit qeveria vendosi të shtyjë edhe për një vit kontratën e markimit të karburanteve, që ka një kosto, që paguhet në çmim nga konsumatorët prej rreth 7-8 milionë euro në vit.