Liderët botërorë kanë mirëpritur marrëveshjen e armëpushimit të arritur midis Izraelit dhe grupit militant libanez Hezbollah, që hyri në fuqi të mërkurën në mëngjes.
Armëpushimi midis Izraelit dhe Libanit do ta mbrojë Izraelin nga kërcënimi i grupit militant të mbështetur nga Irani, Hezbollah, dhe do të krijojë kushtet për një “qetësi të qëndrueshme”, thanë presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, para hyrjes në fuqi të armëpushimit. “Shpallja e sotme do të ndalojë luftimet në Liban dhe do ta sigurojë Izraelin nga kërcënimi i Hezbollahut dhe organizatave të tjera terroriste që operojnë nga Libani”, thanë liderët në një deklaratë të përbashkët.
Shtetet e Bashkuara dhe Franca do të punojnë “për të siguruar që kjo marrëveshje të zbatohet plotësisht” dhe do të udhëheqin përpjekjet ndërkombëtare për “ndërtimin e kapaciteteve” të ushtrisë libaneze, shtuan ata. Biden e mirëpriti marrëveshjen si “lajm të mirë” dhe tha gjithashtu se SHBA-ja do të udhëheqë një përpjekje të re për të siguruar një armëpushim midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas në Gazë, të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.
Macron tha se armëpushimi në Liban duhet të “hapë rrugën” për një fund të luftës në Gazë. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, falënderoi presidentin amerikan për “angazhimin e tij në sigurimin e marrëveshjes së armëpushimit”. Para miratimit të marrëveshjes nga Izraeli, Netanyahu tha se “gjatësia e armëpushimit varet nga ajo që ndodh në Liban” dhe se armëpushimi do t’i lejojë Izraelit të “intensifikojë” presionin ndaj Hamasit dhe të fokusohet në “kërcënimin iranian”.
Kryeministri libanez, Najib Mikati, tha se armëpushimi ishte një “hap themelor” drejt rivendosjes së stabilitetit në rajon. Duke falënderuar Francën dhe SHBA-në për përfshirjen e tyre, Mikati gjithashtu përsëriti angazhimin e qeverisë së tij për “forcimin e pranisë së ushtrisë në jug”. Irani, një mbështetës i Hezbollahut dhe Hamasit, mirëpriti përfundimin e “agresionit” të Izraelit në Liban, pas hyrjes në fuqi të armëpushimit dhe theksoi mbështetjen e palëkundur të iranit për qeverinë. Kina tha se po “ndjek me vëmendje situatën aktuale në Liban dhe Izrael” dhe se mbështet cdo përpjekje që kontribuon në uljen e tensioneve dhe arritjen e paqes. Edhe gjermania, mbretëria e bashkuar, BE dhe OKB e mirëpritën marrëveshjen ndërkohë që paralajmëruan se duhet ende shumë për të bërë.