Zgjati vetëm 5 minuta seanca parlamentare e sotme, kur pritej të diskutohej projektligji më i rëndësishëm ekonomik i vitit, “Projekt Buxheti 2024″. Deputetët e opozitës grumbulluan përsëri karriget në foltore dhe u përplasën fizikisht me disa prej punonjësve të Gardës.

Mes tymit të flakadanëve është zhvilluar edhe sot seanca parlamentare. Situata u bë më kaotike kur njëri prej flakadanëve të ndezur nga opozita mori flakë, por u fik nga punonjësit e Gardës. Deputetët e opozitës kundërshtuan vendosjen e Gardës në Kuvend, kurse ishkryeministri Sali Berisha hyri live në faqen e tij të Facebook-ut, për të transmetuar seancën plenare,

Mes  tensioneve dhe debateve pozitë-opozitë, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla miratoi në parim projektbuxhetin për vitin 2024 me 73 vota pro. Kuorumi nuk u realizua me elektronikë, por votimi u bë me kartonë jeshil.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas miratimit të buxhetit të vitit 2024 me votat e PS-së, mes kaosit dhe tensioneve në Kuvend. Gjatë fjalës së tij jashtë sallës së Kuvendit, Berisha tha se flakadanët në Kuvend që vendosi opozita, dogjën procedurën antikushtetuese e cila kaloi brenda 5 minutash, aktin themelor të vitit, buxhetin e shtetit. E kaluan në mënyrë antikushtetuese, antiligjore, sepse ky buxhet erdhi këtu jo mbi bazën e procedurave që përcakton Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit.

Të njëjtin qendrim mbajti edhe deputeti Gazment Bardhi kur foli pas përfundimit të seancës, të cilën e quajti të paligjshme pasi në më pak se 5 minuta nisi, u votua, dhe përfundoi seanca.

Kurse kreu i Grupit Parlamentar të PS-së,  Bledi Çuçi ka deklaruar jashtë Kuvendit se situata kaotike në Kuvend është e njëjta skenë e krijuar nga opozita. E vetmja gjë që duhet t’i mbetet në mendje çdo shqiptari është buxheti që sapo miratuam 400 milionë euro plus për rritjen e paga.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds