Nisur nga reagimet apo pakënaqësitë që botues të ndryshëm kanë shprehur herë pas here për procesin e përzgjedhjes së titujve të librave për bibliotekat e shkollave, këtë vit për herë të parë Ministria e Arsimit dhe Sportit ka ndryshuar procedurën, duke përfshirë në këtë proces shumë aktorë, si botues, autorë, ekspertë, mësues, etj.

MAS ka bërë publike listën paraprake të titujve, për ta bërë këtë proces sa më transparent dhe për të zgjedhur librat më të mirë e cilësorë për nxënësit.

Tashmë që lista paraprake është e pasqyruar në faqen e ministrisë, priten sugjerimet deri në datën 5 shtator 2023, si dhe kërkon që çdo botues të dërgojë zyrtarisht të drejtën e autorit për titujt, dhe më pas do të kalohet në fazën e miratimit.

POSTIMI I PLOTË I MINISTRES SË ARSIMIT DHE SPORTIT, EVIS KUSHI

Bibliotekat e shkollave kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e procesit mësimor, por edhe për nxitjen tek nxënësit të dëshirës për lexim.

Për këtë, MAS në bashkëpunim me rrjetet profesionale të mësuesve dhe me shoqatat e botuesve, prej disa muajsh po punon për hartimin e listës me titujt e librave që do të rekomandohen për t’u përfshirë në fondin e bibliotekave të shkollave.

Ky proces ka për qëllim jo vetëm që nxënësit dhe mësuesit të kenë në shkollat e tyre titujt që u nevojiten për realizimin cilësor të programit mësimor, por edhe libra që janë në përshtatje me grupmoshat e nxënësve dhe me përmbajtje formuese e edukative.

MAS mirëpret deri në datën 5 shtator 2023 çdo sugjerim për listën paraprake, si dhe kërkon që çdo botues të dërgojë zyrtarisht të drejtën e autorit për titujt që ka në linkun: https://arsimi.gov.al/lista-paraprake-e-titujve-rekomandues-per-bibliotekat-e-institucioneve-arsimore-te-arsimit-parauniversitar-2023/.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *