Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, akuzoi të martën Prokurorinë e Posaçme të Kosovës se po përpiqet ta pengojë punën e ministrisë që ajo drejton.
Ajo i bëri këto komente pasi për të dytën herë u intervisua nga Prokuroria e Posaçme me qëllim të sqarimit të deklaratave të saj rreth punës së gjyqësorit dhe arratisjeve nga burgjet e Kosovës.
Të shtunën me 20 korrik, në një postim të gjatë në Facebook, ministrja Haxhiu, ngriti pretendime se autoritetet e Serbisë kanë gisht në arratisjen e disa të dënuarve nga burgjet e Kosovës. Në postim thuhet se “së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”.
Postimi i saj u bë një ditë pasi autoritetet në Serbi njoftuan është vrarë i dyshuari për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri me 18 korrik në afërsi të kufirit ndërmjet Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.
Qeveria e Kosovës në disa raste ka kritikuar sistemin e drejtësisë për punë të ngadaltë dhe mosveprim në raste si luftimi i krimit, ndjekja e krimeve të luftës dhe hetimi i ngjarjeve si sulmi i 24 shtatorit të vitit të kaluar – kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit duke vrarë një oficer dhe plagosur dy të tjerë.
Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor i Kosovës i kanë dënuar ashpër deklaratat e tilla duke i vlerësuar ato si përpjekje “për të ndërhyrë në punën e pavarur” të tyre.