Gjatë një interpelance në parlament, të kërkuar nga deputeti i opozitës, Agron Shehaj, ministrja e Bujqësisë Anila Denaj, deklaroi të enjten, se një plan veprimi i hartuar nga pala shqiptare, është ende në proces aprovimi në strukturat e BE-së. Plani i veprimit, sipas ministres, iu kërkua autoriteteve shqiptare, pasi në dhjetor të vitit të shkuar ato i kthyen përgjigje Komisionit europian, mbi raportin e Olaf-it, që i ishte dorëzuar qeverisë shqiptare në tetor të po atij viti. Procesi parashikon që materiali i dërguar në Bruksel nga autoritetet shqiptare, të vlerësohet dhe më pas palët të hyjnë në një proces ”negocimi”, në përfundim të të cilit përcaktohet dhe shuma që shteti shqiptar do të mund të duhet t’ia rikthejë Brukselit.
Nuk dihet cila ka qenë përgjigja e palës shqiptare ndaj pretendimeve të Olaf-it, i cili në raportin për vitin 2023 bënte të ditur se i kishte rekomanduar Komisionit Evropian “të konsiderojë si të papërshtatshme, një pjesë të financimit të Thirrjes së Parë dhe të Dytë për aplikime të programit IPARD II, për një vlerë prej 33 milionë eurosh”.
Ministrja Denaj tha sot se raporti i përmbledhur dorëzuar qeverisë shqiptare “evidenton raste parregullsie me një vlerë totale shumëfish më të ulët se vlera që theksohet në raport dhe terminologjia nuk është e njëjtë me atë që përdoret. Kjo pasi strukturat audituese të Olaf-it, aplikojnë disa kritere sikundër është ekstrapolimi dhe vlerësimi i përgjithshëm i gjetjeve”.