Duke nisur që nga muaji gusht, në xhepat e rreth 30 mijë mësuesve do të ketë më shumë para me reformën e pagave.

Ministrja e arsimit Ogerta Manastirliu shpjegon arritjen e pagës në 950 euro mesatarisht për punonjësit shkollorë si një objektiv të përmbushur për qeverinë, që ka prioritet mbështetjen e mësuesve.

“Tashmë është një zotim i mbajtur premtimi për rritjen e pagave të mësuesit deri në 40% për 4 vite. Vërtet motivuese për mësuesit e cila shkon në 950 euro mesatarisht, ndërsa rritja në vlerë pagese do të jetë 180 euro mesatarisht”, tha Manastirliu.

Sistemi arsimor do të ketë edhe ndryshime të tjera, me planin e ri të zhvillimit profesional dhe karrierës që ka si qëllim investimin jo vetëm financiar te arsimtarët.

“Të përfitojnë më shpejt kualifikimin e tyre si mësues të specializuar, kualifikuar apo mësues mjeshtër, e nga ana tjetër rrisim pagesën për kualifikimet e tyre duke siguruar trajnimin e tyre gjatë gjithë karrierës. Pikërisht rritja e pagave, sistemi i ri i zhvillimit profesional, kreditë e lehtësuara për blerjen e banesës, demonstron angazhimin që kemi marr për të rritur dinjitetin e mësuesit e për ta bërë këtë profesion më të kërkuar”, u shpreh ministrja.

Me hapjen e aplikimeve universitare, ministrja Manastirliu u bën thirrje maturantëve që me këto politika të reja kanë më shumë arsye për ta zgjedhur si preferencën e tyre. Ndërkaq zbulon kuotat për programet prioritare në sektorë me rëndësi për vendin si mësuesia, inxhinieria, bujqësia, ku mund të përfitohet çdo muaj një bursë në vlerën e 40 mijë lekëve.

Në këto vite kemi mbështetur me bursa sa paga minimale rreth 330 studentë të cilët tashmë janë përfshirë në programe studimi me prioritet  kombëtar, që kanë lidhur marrëveshje për të dhënë kontributin në vendin tonë pas përfundimit të studimeve; dhe planifikojmë për këtë vit të jenë rreth 100 bursa sa paga minimale që do t’iu alokohen disa universiteteve”, tha Manastirliu,

Ministria e Arsimit po kryen ndërkohë një analizë të gjerë të programit mësimor, ku parashikohet modernizimi i kurrikulave.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds