Fermerët e Myzeqesë paralajmëruan protesta të njëpasnjëshme, në rast se Ministria e Bujqësisë nuk merr masa për rregullimin e tregut të fruta perimeve. Një pjesë e tyre u mblodhën në Divjakë, ndërsa i bënë thirrje grumbulluesëve të zonës të mos monopolizojnë punën e fermerëve. Mariglen Ziu ka ardhur nga Berati, ndërsa fajson si shkaktarë të uljes së çmimeve pikat e grumbullimit. Ai është drejtuar fermerëve vendas për mos kultivim të tokave bujqësore për 1 vit me rradhë.
Armelin Meta, fermer nga Krutja e Lushnjës thotë se, në rrjetet sociale bëhet propaganda pozitive nga Ministria e Bujqësisë, por realiteti sipas tij është ndryshe.
Shpëtim Kaja nga fshati Kryekuq i Divjakës, e krahason punën në bujqësi me kohën e mesjetës.
Problemet që fermerët po hasin së fundmi janë, çmimet e ulta të prodhimeve, mungesa e vaditjes, rritja e çmimeve të plehrave dhe pesticideve, si dhe cilësia e dobët e farave dhe fidanëve.