Ish kryeministri holandez Mark Rutte mori sot detyrën si Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, duke zënë vendin e Jens Stoltenbergut, i cili drejtoi aleancën ushtarake për një dekadë.
Sekretari i ri Rutte shprehu mbështetje të fortë për Ukrainën dhe tha se nuk ishte i shqetësuar për zgjedhjet presideciale në Shtetet e Bashkuara dhe se do të bashkëpunonte me secilin nga kandidatët. Ai mori drejtimin e aleancës disa javë para përballjes presidenciale mes demokrates Harris dhe republikanit Trump, i cili ka qenë kritik ndaj NATO-s.
Sekretari i ri i Përgjithshëm Mark Rutte tha se përparësitë e tij janë mbështetja për Ukrainën, rritja e shpenzimeve për mbrojtjen dhe forcimi i partneriteteve që aleanca ka vendosur me vende të tjera të botës, veçanërisht në Azi dhe Lindje të Mesme.
“Përparësia ime e dytë është të forcoj mbështetjen për Ukrainën dhe ta sjell atë më pranë NATO-s, sepse nuk mund të ketë siguri jetëgjatë në Europë, pa Ukrainën e fortë dhe të pavarur”, tha Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s.
Zoti Rutte shtoi se e drejta e Ukrainës për t’u mbrojtur nuk “përfundon tek kufijtë e saj”.
“Të përkrahësh të drejtën e Ukrainës për t’u mbrojtur nënkupton që ata të kenë mundësi të godasin objektiva të ligjshme në territorin e agresorit. Në fund të fundit, është në dorën e secilit prej aleatëve të përcaktojë mbështetjen ndaj Ukrainës, nuk varet nga unë”, tha ai.
Vendet anëtare të NATO-s presin që zoti Rutte të vazhdojë të ndjekë përparësitë e paraardhësit të tij, përkrahjen për Ukrainën, rritjen shpenzimeve të mbrojtjes dhe të vazhdojë të ruajë angazhimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë në Evropë.
Sekretari Rutte merr drejtimin e NATO-s në një kohë që agresioni rus ndaj Ukranës po i afrohet periudhës prej 1 mijë ditësh.
Ai do të duhet të kërkojë mënyra të reja për të nxitur mbështetjen ndaj Ukrainës ndër radhët e aleancës, e cila ka 32 vende, pasi anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë që kërkuan mbrojtje nga Rusia nën ombrellën e sigurisë së NATO-s.