Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci deklaroi se ushtria e Kosovës është e gatshme që të përballet me çdo sfidë dhe kërcënim që tenton të cenojë integritetin territorial dhe jetën e qytetarëve. Ai tha se deklaratat e kryeministrit Albin Kurti për sulme të mundshme gjatë këtyre ditëve, nuk kanë për qëllim që të frikësojnë qytetarët.
Në konferencën e fundvitit, Maqedonci tha se grupi që kreu sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit dhe atë të 29 nëntorit të këtij viti në kanalin e Ibër-Lepencit, vazhdon të mbetet i lirë në Serbi.
Në konferencë për media, ai tha se gjatë vitit 2025 do të jetë gati regjimenti i tretë i këmbësorisë, në kuadër të stërvitjes më të madhe ndërkombëtare “Defender Europe 2025”. Maqedonci tha se për katër vjet mandat është dyfishuar numri i ushtarëve dhe se gjatë 2024 janë investuar gati 170 milionë euro për ushtrinë dhe 270 milionë euro armatime në total në katër vitet e Qeverisë së Albin Kurtit.