Veprimtaret e të drejtave të njeriut në Ulqin paraqitën sfidat dhe vështirësitë e gruas në shoqërinë bashkëkohore. Ata theksuan problemet e gruas në procesin e zhvillimit dhe të vendim-marrjes duke kërkuar nevojën e rregullimit të gjithanshëm të të drejtave të gruas për të arritur barazinë gjinore.

Veprimtarët e shoqërisë civile kanë adresuar problemet e gruas brenda bashkësisë shqiptare në Malin e Zi duke paraqitur sfidat dhe vështirësitë gjatë karrierës së tyre profesionale. Veprimtarja Ardita Rama, vuri në dukje rëndësinë e aktivizmit të gruas shqiptare.

“Përmes nesh po promovojmë aktivizmin e femrës shqiptare në këto troje. Të gjitha ne që po marrim pjesë në këtë panel i takojmë profesioneve të ndryshme dhe është shumë e rëndësishme që vajzat e reja të dëgjojnë dhe të shohin shembuj dëshmie që me shumë këmbëngulje dhe shumë punë mund të arrihen ëndrrat”, tha zonja Rama.

Komunikimi, guximi dhe përvojat e grave nxisin dhe përmirësojnë jetën e gruas për të arritur barazinë gjinore. Kjo sipas veprimtares Arlinda Osmani duhet të mbetet objektiv i veprimtarisë së tyre.

“Diskutimi na çon gjithmonë një hap më tej sepse fjala, e cila përçohet tek të tjerët ndihmon në hapat e duhura që ky hendek të zvogëlohet e ndoshta një ditë të arrihet tek ajo pika që të njihet si barazia gjinore”, tha zonja Osmani.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *