Zjarret kanë disa ditë që vazhdojnë të bien njëri pas tjetrit në Bashkinë Lushnjë duke shkaktuar dëme materiale, por edhe frikë tek banorët, pasi ndihma nga zjarrëfikësit ose vjen me vonesë ose nuk vjen fare.
Reparti Zjarrfikës nuk disponon zjarrëfikëse në madhësinë e duhur dhe mjetet e tjera të nevojshme për këto situata emergjente të fikjes së zjarreve, kanë një minizjarrfikëse e cila mbart vetëm 200 litra ujë.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla i shoqëruar nga Kryetarja e Bashkisë Sefa monitoroi para dy ditësh në terren situatën.
Zoti Balla në prononcimin e tij para kamerave nuk foli për gjendjen e Repartit Zjarrfikës dhe si mund të përmirësojë kushtet e këtij institucioni kaq të rëndësishëm.
Zjarret ndodhin edhe aksidentalisht si zjarri i rënë në fshatin Çiflik, por mungesa e automjeteve të Repartit Zjarrëfikës nuk është aksident, ka ardhur pas shumë vite neglizhencë të një institucioni jetësor për qytetarët. Ministri Balla eshte shprehur kundër zjarrvënies së qëllimshme dhe e ka dënuar ashpër, por bashkë me Kryetaren e Bashkisë Lushnjë, kanë anashkaluar problemin e mungesës së automjeteve në repartin e zjarrëfikëses.
Para disa ditesh u organizua pa praninë e mediave, takimi me Emergjencat Civile, Prefektin e Qarkut Fier, Shefin e Komisariatit Lushnjë dhe Kryetarët e fshatrave. Situata s’ka ndryshuar pas këtij takimi vetëm është përkeqësuar. Shpresojmë se kjo situatë do të ketë nje zgjidhje së shpejti pasi ky është një problem që shkakton, jo vetëm dëme materiale por rrezikon edhe jetët e njerëzve.