Instituti i Kosovës për Drejtësi publikoi të premten një analizë të ligjit të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave, duke vlerësuar se ai e shkatërron tërësisht pavarësinë kushtetuese të këtij institucioni.
Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave u miratua javën e kaluar nga parlamenti i Kosovës, duke nxitur reagime të ashpra të opozitës, Bashkimit Evropian, shoqatave të gazetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile që e cilësuan atë si “goditje ndaj lirisë së medias dhe tentim për disiplinim e kontrollim të tyre”.
Ky ligj mes të tjerash, parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre nga KPM-ja dhe dënime me gjoba të rënda për mediat që kryejnë shkelje ligjore.
Me ligjin e ri përbërja e Komisionit të Pavarur të Mediave parashihet të shkojë në 11 anëtarë nga 7 sa numëron aktualisht.
“IKD ka gjetur se rritja e numrit të anëtarëve është një vendim i pambështetur në një analizë të mirëfilltë dhe nuk përkon me nevojat e funksionimit adekuat të KPM-së”, tha zoti Smajli duke theksuar se “rritja e numrit të anëtarëve nuk do të rriste efikasitetin dhe as pavarësinë e tij”.
Të enjten grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës dorëzoi tri ligje për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, në mesin e tyre edhe ai për Komisionin e Pavarur të Mediave.
“Përmes këtij ligji synohet që të kontrollet puna e mediave të lira në Kosovë dhe të cenohet fjala e lirë në vendin tonë”, tha shefi i grupit parlamentar të kësaj partie Abelard Tahiri.
Media online në Kosovë aktualisht vet rregullohet nëpërmjet Këshillit të Mediave të Shkruara duke u mbështetur në Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës.