Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, për anulimin e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për certifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit në Kosovë. Sipas PZAP, kjo ankesë nuk i përmbush kërkesat ligjore.
Javën e kaluar, Lëvizja Vetëvendosje i kërkoi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që të shfuqizojë vendimin e KQZ-së për certifikimin e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë e cila e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. LVV e humbi betejën ndaj këtij vendimi edhe në Gjykatën Supreme, e cila më 31 dhjetor e cilësoi ankesën e saj si të palejuar. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa tha se duke qenë se Gjykata Supreme e ka vërtetuar vendimin e saj më 31 dhjetor, vendimi i saj “duhet të zbatohet dhe për këtë nuk ka nevojë për votim”. Një ditë më parë, KQZ miratoi përmbajtjen e fletëvotimit për Zgjedhjet, me Listën Serbe pjesë të saj.