Kreu i klanit ‘Duka’, Leonard Duka, që u arrestua një vit më parë në Belgjikë, do të ekstradohet sot drejt Shqipërisë.
Duka pritet të mbërrijë këtë të premte në Tiranë.
37-vjeçari, i shumëkërkuar ndërkombëtarisht për krime kundër personit dhe për armëmbajtës pa leje, u arrestua në shkurt 2023, teksa fshihej në një banesë private në një provincë të Brukselit.
Vrasja e ish-policit, Santiago Malko
Pasditen e 27 gusht të vitit 2019 një skuadër e përbërë nga 7 persona monitoroi lëvizjen e Santjago Malkos që njihej si krahu i djathtë të mbretit të lojërave të fatit Ervis Martinaj. Ata bashkërenduan lëvizjet me dy ekzekutorët për të kryer eliminimin në një aks plot lëvizje e kamera. Kreu i klanit “Duka” dhe Martianaj më parë kishin qenë miq dhe ortakë në biznesin e lojërave të fatit, më pas patën përplasje të ashpra pikërisht dhe u përfshinë në një konflikt pikërisht prej këtij aktiviteti disa milionësh.
Pas prishjes së ortakërisë mes tyre, pasoi në disa ngjarje kriminale.
Grupi kriminal i drejtuar nga vëllezërit Duka i kryesuar nga Leonard Duka, kishte planifikuar në vitin 2019 një plan për eliminimin fizik të Ervis Martinaj dhe për këtë arsye iu duhej informacion për të gjitha lëvizjet e këtij shtetasi.
Për këtë arsye ata kishin vendosur të rekrutonin persona të ndryshëm për të siguruar informacionet e duhura për lëvizjet e Martinajt. Hetimet zbuluan se ata paguan 30 mijë euro një punonjëse të një agjencie turistike si dhe të fejuarin e saj për të ndjekur lëvizjet e tij jashtë vendit.