Leku shqiptar humbi 0.97% kundrejt euros dhe 1.2% kundrejt dollarit amerikan gjatë ditës së mërkurë, lëvizje këto jashtë bandës së zakonshme të luhatjes së vërejtur që nga qershori i vitit të kaluar, kur Banka e Shqipërisë njoftoi se po ndërhynte në treg për të blerë euro me qëllim shmangien e forcimit të mëtejshëm.
Euro u shkëmbye me 99.71 lekë të mërkurën nga 98.75 lekë të martën, sipas të dhënave të kursit mesatar fiks të llogaritura dhe publikuara nga Banka e Shqipërisë. Dollari u shkëmbye për 95.74 lekë nga 94.64 lekë që shkëmbehej të martën.
Euro është luhatur mes 98.11 dhe 98.7 lekëve që nga tetori i vitit të kaluar me lëvizje plus minus vetëm pak qindarka nga dita në ditë. Luhatshmëria e ulët, e cila nisi që nga qershori i vitit 2024, u trondit vetëm të mërkurën. Është gjithsesi e paqartë nëse luhatshmëria më e madhe është shkaktuar nga veprimet e Bankës së Shqipërisë apo nga faktorë të tjerë.
Si rregull, Banka e Shqipërisë i njofton ndërhyrjet në tregun e këmbimit valutor me tre muaj vonesë. Sipas publikimit të fundit, deri në shtator 2024, BSH bleu 313.7 milionë euro në muajt maj, qershor dhe korrik me qëllimin “për frenimin e forcimit të mëtejshëm të kursit të këmbimit”. Këto ishin veçmas blerjes së 228.6 milionë eurove në kuadër të programit të blerjes për rritjen e rezervës valutore të vendit.