Kryeministri Edi Rama në orën e fundit të konferencës, iu përgjigj edhe disa pyetjeve të gazetarëve të pranishëm. Rama u pyet nga gazetarja Ambrozia Meta lidhur me listën e kandidatëve të deputetëve në qarkun e Durrësit, nëse hartimi i saj ishte përgjegjësi e tij apo e drejtuesit të qarkut. Pyetjet e radhës ishin nëse Ergys Agasi ka një pozicion zyrtar në PS, konkretisht në qarkun e Durrësit dhe pse ka vepruar me dy standarde për rastin e Veliajt dhe Saimir Tahirit, të cilin e përjashtoi nga grupi i PS për shkak të hetimeve ndaj tij. 

Pyetjet e gazetares:

E para, kush e ka hartuar listën e kandidatëve të deputetëve të PS, qarkut të Durrësit për zgjedhjet e vitit 2021. Listë që e keni firmosur. Është përgjegjësi e juaja apo e drejtuesit politik të qarkut?

E dyta, është a ka Ergys Agasi një pozicion zyrtar në PS dhe konkretisht në qarkun e Durrësit dhe cili është raporti juaj me të?

Dhe e treta, ju e keni përjashtuar nga grupi parlament i PS në vitin 2017, Saimir Tahirin, duke thënë se do të jetë një deputet i lirë deri në përfundim të hetimeve. Në rastin e Veliajt, ai është nën hetim nga SPAK për tre akuza dhe ju ende nuk e keni distancuar nga partia juaj. Pse keni vepruar me dy standarde në këto raste dhe a mendoni se ndikon tek hetimet, faktin që ky zyrtar ende qëndron në detyrë?

Kryeministri zgjodhi të mos i përgjigjej konkretisht dy pyetjeve të para, dhe u shpreh se nuk i përgjigjet pyetjeve nga “llumi” që rrjedh nga sistemet telefonike të kriminelëve. 

“Unë nuk i përgjigjem pyetjeve nga llumi që rrjedh nëpër ato ulluqet e sistemeve telefonike të kriminelëve. Unë as nuk i afrohem. Dikush me çonte një mesazh për një analist të krimit që më paska nxjerrë një foto të një njeriu në kërkim dhe ku di unë, ndërkohë nga ç’kam parë, dëgjuar dhe kuptuar në këto vite, ka të tjerë që janë ku e ku me atë person. Që dalin në parlament dhe nëpër media dhe bëjnë namin, dhe pastaj çojnë mesazhe se kështu e ka politika. Ju mund të merrni nëpër gojë të gjithë Shqipërinë, nuk jam këtu për të marrë nëpër gojë njerëz”, tha Edi Rama.

Pyetjes së gazetares për Veliajn, Rama ndonëse ka theksuar vazhdimisht se nuk komenton çështjet e drejtësisë, zgjodhi të mos e anashkalojë. Në përgjigjen e tij, Rama u shpreh se ndaj kryebashkiakut të Tiranës nuk ka ende një akuzë zyrtare.

“Krahasimi është komplet i pakëmbë. Janë dy raste dhe kontekste, e faza totalisht të ndryshme. Këtu jemi në kushtet kur Veliaj është hetuar gjykuar, dënuar, në gjykatën e politikës dhe atyre medieve që janë të angazhuara për të bërë gjyqësi alternative, që do të thotë se me mjetet e politikës dhe komunikimit mediatik, të vendosi një kolektiv i caktuar njerëzish se kur bëhet fjalë për SPAK si organizatë kriminale, kur bëhet fjalë për SPAK si prokurori”, tha kryeministri. 

By admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds