Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar idetë dhe propozimet që marrëveshja bazike Kosovë-Serbi të zbatohet sipas preferencave të pikave të saj. Kreu I qeverisë është shprehur se marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve duhet të zbatohet në tërësi.
“Nuk është marrëveshja bazike një tryezë suedeze ku mund ta marrësh gjellën tënde të preferuar dhe t’i hedhësh të tjerat. Gjashtë fjali në preambulë, 11 nene në marrëveshje, plus aneksi i zbatimit nga Ohri i marsit të vitit të kaluar me 12 pika, pra duhet ta kemi pikënisje tërësinë, jo ndonjë pjesë duke mohuar tërësinë. Unë e kam diskutuar edhe në Bruksel këtë’, tha Kurti.
Kryeministri u shpreh se Kosova duhet të pranohet dhe se çfarëdo që kërkojnë serbët në Kosovë duhet ta kërkojnë përbrenda rendit juridik dhe kushtetutës të Republikës së Kosovës. Qëndrimi i kryeministrit Kurti erdhi disa ditë pasi presidentja, Vjosa Osmani, konsideroi se Kosova mund ta zbatojë njëanshëm marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit nëse merr garanci nga partnerët ndërkombëtarë se në këmbim do të përfitonte njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.