Fshati Thanasaj, pjesë e Njësisë Administrative Dushk, ishte ndalesa e radhës e takimeve elektorale të kandidates së PS për bashkinë Lushnjë, Eriselda Sefa dhe drejtuesit politik të PS qarku Fier, Taulant Balla.
Ky i fundit bashkë me disa të rinj vendosën që të vinin ndryshe në këtë zonë rurale të Lushnjës, duke përdorur biçikletat që nga ura e Rrogozhinës, deri në qëndër të këtij fshati.
Qeveria shqiptare përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit rehabilitoi rrugën 4.1 km të gjatë të kësaj zone që lidh bashkinë e Lushnjës me atë të Peqinit, një investim që sipas drejtuesit politik do t’i japë një hov të madh zhvillimit të agroturizmit në këtë zonë e cila ndodhet buzë lumit Shkumbin.
Balla shtoi se investimet e konsiderueshme të Bashkisë dhe qeverisë në Lushnjë gjatë vitit të fundit janë tregues se vetëm ky binom, mes Eriselda Sefës dhe Edi Ramës mund të çojnë përpara transformimin e Lushnjës.

Ndërkohë, kandidatja e PS, Eriselda Sefa tha se ndërhyrja për rehabilitimin e rrugës zgjidh një gangrenë 30-vjeçare të këtij komuniteti, një investim që do të përmirësojë rrënjësisht cilësinë e jetesës për familjet duke nxitur edhe më shumë zhvillim ekonomik dhe për ndalimin e braktisjes së fshatit.
Sefa tha se Njësia e Dushkut është futur në një fazë të rëndësishme të investimeve pasi është ndërhyrë në Zhamë Sektor dhe së shpejti nis puna për urbanizimin e Dushkut Sektor.

Në fund të takimit elektoral, dhjetra banorë të Thanasajt improvizuan një festë me muzikë dhe valle të zonës, në shënjë falenderimi për angazhimin e mbajtur nga kryebashkiakja në detyrë Eriselda Sefa dhe drejtuesi politik Taulant Balla, për rehabilitimin e rrugës së kësaj zone.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *