Vrasja e shqiptarit Nikolin Nika në Itali mbrëmjen e 24 nëntorit ka tronditur komunitetin e vogël lokal të komunës Bettola.

Kryebashkiaku i kësaj komune, Paolo Negri, ka thënë për mediat italiane se nuk do ta kishin menduar kurrë që një ngjarje e tillë të ndodhte në komunitetin e tyre.

“Nuk do ta kishim menduar kurrë që një ngjarje kaq e rëndë dhe e përgjakshme të ndodhte në komunitetin tonë të vogël. Unë jetoj disa dhjetra metra larg vendit ku ndodhi vrasja. Isha në shtëpi dhe kur dëgjova sirenat menjëherë e kuptova se kishte ndodhur diçka e rëndë.

Këtu në Bettola bashkëjetojnë disa komunitete të huaja, të gjitha janë të integruara mirë. Nuk e kishim menduar kurrë se do të arrinim kaq larg. Viktimën nuk e njihja personalisht, por e kisha takuar 2-3 herë në fshat. Ai punonte si druvar në një kooperativë”, tha kryebashkiaku Negri.

42-vjeçari Nikolin Nika nga Shkodra u vra në rrugë nga nga një 62-vjeçar shqiptar, i cili e goditi 3 herë me thikë në qafë pas një debati mes tyre.

Dyshohet se shkak kanë qenë mosmarrëveshje të vjetra mes të dyve, megjithatë policia italiane është duke e hetuar rastin. Pas krimit, autori u largua, por u arrestua më vonë.

Ndërsa Nikolin Nika mbeti i shtrirë në trotuar i mbuluar nga gjaku. Kur ambulanca mbërriti në vendngjarje, 42-vjeçari ishte ende gjallë. Bluzat e bardha u munduan ta mbanin në jetë, por fatkeqësisht Nika ndërroi jetë në duart e tyre.

Nikolin Nika la pas gruan dhe dy fëmijë të vegjël, njëri prej tyre ende nuk ka mbushur 1 vjeç.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds