Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë në lidhje me megaskandalin që ndodhte tek Onkologjiku, i zbuluar vetëm pak ditë më parë.
Në një takim me drejtuesit e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ai e ka konsideruar atë që ndodhte në atë spital, si krim kundër njerëzimit dhe njerëzores.
Kreu i qeverisë shtoi se mjekët e përdorën uniformën më delikate të shtetit si maskat e bandave për të nxjerrë para me gjakun e ilaçet e të sëmurëve.
“Duke u përgatitur për këtë adresim, që është edhe publik, dhe mes jush në spitalin Onkologjik, mu kujtuan fjalët e një prej heronjve të mjekësisë Besim Elezi që “as në ëndërr nuk e kishim parë dot një spital me këto kushte dhe ky spital nuk ka asgjë më pak se spitalet e Europës. Sot nuk mungon thuajse asgjë nga çfarë nuk kishim dje, por fatkeqësisht jo gjithnjë figura dhe përkushtimi i mjekëve janë në lartësinë e misionit që nis me betimin e hipokratit. Ky spital nuk ka asgjë më pak se spitalet e Europës. Të mos jesh në lartësinë e detyrës është hall i madh, por të kesh marrë diplomën e licencën e të përdorësh uniformën më delikate të shtetit si maskat e bandave për të nxjerrë para me gjakun e ilaçet e të sëmurëve, është krim kundër të gjithë njerëzimit. Koha e heronjve i ka lënë vendin një kohe tjetër”, tha ai.
Kreu i qeverisë tha se mjekët që abuzojnë me pacientët meritojnë ndëshkim nga drejtësia dhe zoti.