Sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe dëshirojnë të votojnë, duhet të shfaqin vullnetin e tyre për t’u regjistruar në listën e zgjedhësve nga jashtë vendit, duke paraqitur një kërkesë individuale për regjistrim përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER), pasi të ketë krijuar një llogari në platformë.

 Sot në KQZ një demonstrim i kësaj platforme të realizuar në kohë rekord, u prezantua dhe u testua para përfaqësuesve të partive politike, shoqërisë civile dhe medias. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi shprehu mirënjohjen për organizatat e shoqërisë civile dhe organizatat e diasporës të cilët kanë dhënë kontribut të çmuar për realizimin e votimit nga jashtë.

“Në përputhje me aktin rregullator, (PER) Platforma Elektronike e Regjistrimit  përmbush të gjitha cilësitë dhe standardet e kërkuara për platforma të tilla, duke garantuar nivelin më të lartë të sigurisë. Kjo platformë ofron një verifikim të plotë të identitetit të shtetasve që aplikojnë si votues nga jashtë. (PER) Platforma Elektronike e Regjistrimit siguron mbrojtjen maksimale të të dhënave personale, duke përmbushur standardet më të avancuara të sigurisë,” – u shpreh ai.

 Në kuadër të transparencës, administrata e KQZ-së prezantoi dhe testoi funksionalitetet kryesore të Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER), duke përfshirë tre hapësirat kryesore:

1. Hapësira e zgjedhësit: 2. Moduli për shqyrtimin e kërkesave: 3. Paneli statistikor në kohë reale. Gjatë demonstrimit u testuan skenarë të ndryshëm të regjistrimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, duke përfshirë: • Situatën kur zgjedhësi krijon llogarinë, por ka dokument të pavlefshëm identifikimi. • Procesin e suksesshëm të regjistrimit kur zgjedhësi paraqet të dhëna të plota dhe kërkesa miratohet. • Raste kur kërkesa për përfshirje në listën e zgjedhësve refuzohet.

Përfaqësuesit e partive politike, shoqërisë civile dhe medias patën mundësinë jo vetëm të testonin funksionalitetet e platformës, por edhe të adresonin pyetje dhe komente që kontribuojnë në përmirësimin e saj. Platforma Elektronike e Regjistrimit është zhvilluar, mirëmbahet dhe përditësohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ajo është e disponueshme si në versionin desktop, ashtu edhe në atë mobile, pa kufizime në llojin e pajisjes që përdor zgjedhësi, duke garantuar akses dhe përdorshmëri të lehtë për të gjithë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds