Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë këtë të premte vendimin për mandatin e Fredi Belerit, i cili u zgjodh në 14 maj në krye të bashkisë së Himarës, por dy ditë para rezultatit, ai u arrestua për blerje votash.
KQZ pas shqyrtimit të çështjes ka marrë vendimin që Fredi Beleri e humbet mandatin si kryetar i Bashkisë së Himarës.
Nuk kanë asnjë nxitje jashtë asaj që KQZ e nxit ligji për dekriminalizimin, tha Celibashi ndër të tjera, teksa shtoi se Komisioni Zgjedhor ka të gjitha kompetencat për të marrë këtë vendim.
Jemi në kushtet e humbjes së mandati të zotit Fredis Dhionisis Beleri, e shpallim të pavlefshëm këtë mandat. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim brenda 30 ditëve. Ky vendim do të publikohet në faqen elektronike të internetit të KQZ, u shpreh ai më tej.
Tashmë Himara pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
Beleri, kreu korrupsion në zgjedhjet lokale të 2023, nga të cilat u zgjodh kryebashkiak i Himarës. Por gjatë 13 muajve në paraburgim ky mandat nuk u bë funksional pasi ai nuk u betua. Gjykata e Apelit të Posaçëm e gjeti fajtor 52-vjeçarin duke lënë në fuqi dënimi dy vjet burg për korrupsion aktiv në zgjedhje.