Përfaqësues të institucioneve dhe organizatave që merren me të drejtat e grave në Kosovë, thanë të premten se ato vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në jetën politike dhe publike në vend, ndërsa theksuan se edhe gratë që janë pjesë e këtyre fushave përballen me diskriminim dhe gjuhë të urrejtjes.

Këto komente u bënë gjatë një takimi këshillues të organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore dhe Qendra e Kosovës për Studime Gjinore, me synim përafrimin e politikave të tyre për të çuar përpara çështjet që ndërlidhen me gratë në Kosovë.

Në raportin vjetor të Komisionit Evropian për Kosovën, që deri vonë njihej si raporti i progresit, thuhet se gratë ende mbesin të nënpërfaqësuara dhe se numri i tyre në poste të larta është i pakënaqshëm.

“Gjuha diskriminuese dhe sulmet verbale vazhduan, duke përfshirë edhe gratë në jetën publike, siç janë deputetet në parlament”, thuhet në raport, ku nënvizohet se rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme.

Nënkryetarja të parlamentit të Kosovës, Saranda Bogujevci, tha se përkundër përparimit që vendi ka shënuar ndër vite në përmirësimin e rolit të gruas, ka ende shumë punë për të bërë.

Luljeta Demolli nga Qendra e Kosovës për Studime Gjinore tha se raporti i Komisionit Evropian tregon qartë se përgjegjësia e institucioneve për të promovuar barazinë gjinore ende mbetet në shkallë të pakënaqshme.

Ligji për zgjedhjet parasheh një kuotë gjinore prej të paktën 30 për qind gra në parlamentin e Kosovës ndërkaq ligji për barazi gjinore parasheh pjesëmarrje të grave prej 50 për qind.

 Në raportin e Komisionit Evropian theksohet nevoja për harmonizimin e këtyre dy ligjeve, që është kërkuar në vazhdimësi edhe nga organizatat e shoqërisë civile në vend.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë që u miratua në qershor të vitit të kaluar, la në fuqi kuotën prej 30 për qind.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds