Qindra gra parakaluan në qendër të Prishtinës të premten duke protestuar kundër dhunës në familje dhe padrejtësisë ndaj grave.
Me thirrjet “Sot marshojmë, përditë luftojmë” dhe “Drejtësi për gratë e vrara”, protestueset hodhën bojë të kuqe në ndërtesat e policisë dhe prokurorisë për të shprehur shqetësimin e tyre me shkallën e lartë të dhunës ndaj grave në Kosovë dhe trajtimin e rasteve të dhunës nga sistemi i drejtësisë në vend.
Dhuna ndaj gruas shënoi ngritje gjatë vitit që e lamë pas në Kosovë. Sipas autoriteteve 3 gra u vranë ndërsa mbi dy mijë të tjera ishin viktimë e dhunës në familje përgjatë vitit 2023. Nga viti 2010 deri në nëntorin e vitit 2023, në Kosovë janë vrarë 55 gra.
Dhuna ndaj gruas mbetet ndër shqetësimet kryesore të veprimtarëve për të drejtat e grave në vend, krahas problemeve si mungesa e pavarësisë ekonomike të grave dhe pjesëmarrja ende e ultë e tyre në jetën publike.