Në parkun e qytetit në Pejë, rreth 80 kilometra larg kryeqytetit, ndodhet një statujë e Majlinda Kelmendit, sportistja e parë nga Kosova që fitoi një medalje të artë olimpike. Ajo fitoi çmimin më të lartë në lojërat e vitit 2016 në Rio de Zhaneiro në konkurrencën e xhudos 52 kilogramë.
“Majlinda Kelmendi ishte e para që solli në Kosovë medalje olimpike. Peja është e njohur për xhudo. Kjo nuk është e fundit. Presim medalje të tjera, jo vetëm nga Majlinda Kelmendi, në Lojërat Olimpike të ardhshme në Paris”, thotë një student nga Peja.
Peja është shtëpia e Qendrës Kombëtare të Xhudos dhe këtë vit është në kërkim të medaljeve të reja në Lojërat Olimpike të Parisit, ku Kosova përfaqësohet nga një ekip prej nëntë vetash, duke përfshirë pesë xhudistë.
Pas suksesit të Majlinda Kelmendit në Brazil, Kosova fitoi edhe dy medalje të arta në lojërat e vitit 2020 në Tokyo të Japonisë, të dyja për xhudo.
Distria Krasniqi ishte kampione në kategorinë 48 kilogramë dhe Nora Gjakova në kategorinë 57 kilogramë.
Por, a mundet një sportist tjetër të përsëris këtë sukses?
Kosova u anëtarësua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në dhjetor të vitit 2014 dhe sportistët e saj garuan për herë të parë në Lojërat Olimpike në Rio De Zhaneiro.
“Në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike të këtij viti, flamurin e Kosovës do ta mbajnë Nora Gjakova, fituese e medaljes së artë nga Tokio, dhe vëllai i saj Afrimi.