Kosova po përgatit një draft-statut për themelimin e “një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë”, njofton Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, përmes një letre drejtuar Këshillit të Evropës. Ky draft, do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit. Qeveria ka pranuar më herët se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është vendosur si kusht për pranimin e shtetit në organizatën e Këshillit të Evropës. Sipas Gërvallës, “Drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njejtën kohë nuk lejon ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin”, shkroi ajo në Facebook. Ministrja Gërvalla tha se me konkretizimin e zotimit për themelimin e Asociaiconit, Kosova pret që Këshilli i Evropës të përmbushë pjesën e vet ” të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte”. Më 16-17 maj, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës i cili jep fjalën për pranimin e një shteti apo jo, takohet në Strasburg. Një ditë më parë, zëvendësministri për Punë të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, tha se çështja e pranimit të Kosovës në këtë organizatë për të drejtat e njeriut, nuk është përfshirë në agjendë.