Nga 21 maji deri më 2 qershor Kosova do të jetë pritëse e stërvitjeve ushtarake më të mëdha ndërkombëtare “Defender Europe 2023″. Në kuadër të përgatitjeve për këtë stërvitje, FSK ka realizuar ndërkohë manovrat fushore “Steel Alpha 2023”, që kishte si qëllim testimin e kapaciteteve të kompanisë që do të marrë pjesë në stërvitjen e madhe, nga Regjimenti i Dytë i Forcave Tokësore.
Në një njoftim të Forcës së Sigurisë së Kosovës, thuhet se në këto manovra janë kryer stërvitje për operacionet e mbrojtjes, sulmit dhe armatimeve.
“Në këto manovra janë kryer stërvitje për operacione të mbrojtjes, sulmuese, të sigurisë dhe stabilitetit, duke përfshirë këtu edhe stërvitjet në nivel kompanie me të gjitha sistemet e armatimit”, njofton FSK. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj para disa ditësh ka deklaruar se kjo stërvitje do të jetë një test i radhës për ushtrinë e Kosovës, në të cilin do të përgatiten kapacitetet luftarake të FSK-së.
“Përgëzoj shtabin, partnerët tanë dhe të gjithë ata që janë duke u angazhuar maksimalisht që kjo stërvitje të jetë në nivelin më të lartë organizativ. Ushtria e Kosovës do të jetë pjesë e NATO-se dhe në bazë të standardeve të saj është duke u forcuar çdo ditë. Kosova në NATO është gjithashtu një nga amanetet e dëshmorëve tanë”, ka thënë Mehaj. Kosova do të marrë pjesë me mbi 1300 trupa të Forcës së Sigurisë së Kosovës në stërvitjen fushore “Defender Europe 2023”, përkrah forcave amerikane dhe aleatëve të tjerë të NATO-s. Për herë të parë, Kosova do të ketë edhe statusin e vendit pritës të stërvitjes së përvitshme në rajon.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds