I dërguari evropian Miroslav Lajçak tha se javën e ardhshme në Bruksel pritet vazhdimi i bisedimeve Kosovë – Serbi për çështjen e përdorimit të dinarit serb. Zoti Lajcak takoi të hënën kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar propozimet për gjetjen e një zgjidhjeje për personat e prekur nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme.
“Diskutimet tona të gjata ndihmuan për të sqaruar detaje të rëndësishme”, shkroi zoti Lajçak.
Takimi i sotëm ishte vazhdim i takimit të së martës së kaluar kur palët u zotuan të dalin më propozime të reja për zgjidhjen e situatës së krijuar pas rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë.
Rregullorja që ka hyrë në fuqi me një shkurt, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi.
Kyenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi, tha se dallimi ndërmjet propozimeve të palëve është shumë i thellë, prandaj pati një pajtim për një takim të radhës për të parë nëse ka mundësi afrimi drejt një zgjidhjeje.