Në konferencën rajonale “Balkanomics”, në Tiranë, morën pjesë ekspertët ndërkombëtarë të ekonomisë nga SHBA, BE-ja dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Përfaqësues të diplomacisë amerikane dhe europiane nxitën Shqipërinë, që përmes reformave, të fuqizojë sektorin privat, për të zhvilluar më shumë ekonominë dhe procesin e anëtarësimit në BE.

SHBA-të besojnë tek një integrim më i madh rajonal, i cili të sjellë zhvillim dhe rritje në Ballkanin perëndimor, theksoi i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e SHBA-ve në Shqipëri, David Wisner. Ai renditi disa përparime që janë kryer në Shqipëri, nga zbatimi i ligjit, në fushën e energjisë, decentralizimit të saj, si dhe në fusha të tjera, ku ka ndihmuar edhe USAID-i.

Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, (USAID), po ndihmon Shqipërinë dhe vendet e tjera në Ballkanit Perëndimor për fuqizimin rajonal të ekonomisë, duke bashkëpunuar me sektorin privat, që të rritet konkurrueshmëria e tregut.

Drejtoresha e USAID-it për Shqipërinë, Mischere Kawas, tha se agjencia amerikane e ka si përparësi kryesore të nxitë rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

Drejtuesi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasadori Silvio Gonzato, theksoi se BE-ja është donatori më i madh, ndërsa reformat europiane dhe Plani europian i Rritjes për Ballkanin Perëndimor janë të lidhura fort mes tyre, në përpjekje për të ngushtuar boshllëqet që ekzistojnë mes BE-së dhe rajonit, për të cilat nevojiten ndërhyrje të mëdha dhe të vendosura, siç u shpreh ai.

Ai shtoi se klima e biznesit dhe investimeve përmirësohet sapo ata të sigurohen që sistemi i drejtësisë funksionon dhe korrupsioni luftohet.

Anëtarësimi në Bashkimi Europian është një proces i ndërlikuar, pohuan diplomatët, edhe pse nis nga qasja se Ballkani Perëndimor i përket BE-së dhe është pjesë e saj.

Përvetësimi i Planit të Rritjes, duke u angazhuar për reformat, pohuan ata, i ndihmon shumë Shqipërinë dhe vendet e tjera, që të përballen me sfidat si sundimi i ligjit, barazia, të drejtat e njeriut, infrastruktura, energjia, dhe hapësirat sociale dhe ekonomike, që ekzistojnë mes BE-së dhe rajonit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds