Shkolla “Nënshkruesi i Pavarësisë Nebi Sefa” i kushton një vëmendje të vecantë lidhjes së mësimit me jetën.
Mësuesja Hedije Hoxha organizoi këto ditë së bashku me nxënësit e klasës së 4 një projekt ndërlëndor të titulluar “Jepi tokës jetë”
Ndërsa disa ditë më parë mësuesja e realizoi projektin “Mbill një pemë shpëto një jetë” në mjediset e një lulishteje me lloje të ndryshme lulesh, tema e projektit të sotëm u zhvillua në klasë, ku paraprakisht kishte siguruar materialin figurativ ilustrues që e bënte interesante orën dhe nxënësit marrin pjesë aktive në mësim.
Për ta ilustruar më bindshëm projektin,
mësuesja kishte pikturuar një pemë me fytyrë njeriu në trungun e saj, cka do të përkthehej se ashtu si njeriu që të rritet i shëndetshëm kërkon disa kushte specifike ku drita e oksigjeni janë domosdoshmëri, edhe për pemët duhet të kujdesemi që t’u plotësojmë atyre të gjitha kushtet biologjike, sepse ato janë burimi i oksigjenit, pa të cilin nuk ka jetë.
Gjatë orës së mësimit mësuesja u tërheq vëmendjen nxënësve që të nxjerrin konkluzionin edhe aspektin edukativ i orës së mësimit.
Nxënësit të ndarë në grupe japin përgjigje të sakta gjë që tregon se kanë kërkuar informacion në internet për ta pasuruar më shumë orën e projektit ndërlëndor.
Njëkohësisht nxënësit treguan edhe kuriozitete mbi jetën e bimëve e të alpeve tona, por edhe të hapësirave të përmendura në shkallë botërore.
E rëndësishme është që fëmijët shkëmbejnë informacionet mes tyre duke i kushtuar interes vlerave kurative të disa bimëve medicinale.
Pjesën e dytë të orës së mësimit mësuesja e zhvillon në mjediset e jashtme të shkollës, në lulishten ku ata vetë kanë punuar për mbjelljen e luleve dhe vazhdimisht tregojnë kujdes për mirërritjen e tyre, jo thjesht për estetikën që përcjellin, por edhe për funksionin jetikë të pasurimit të ajrit me oksigjen e cila u finalizua edhe me një detaj përmbyllës të orës ku nxënësit në njërën dorë mbanin një lule kurse nga dora tjetër lëshuar një tollombac në ajër.