Komisioni Evropian ka tërhequr vëmnedjen se në disa vende anëtare të Bashkimit Evropian ka rritje të madhe të numrit të kërkesave të pabaza për azil nga shtetasit e Kosovës, qe pas heqjes së regjimit të vizave. Kjo është hera e parë që Kosova përfshihet në një raport të tillë prej kur BE-ja i hoqi vizat për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i këtij viti.
KE në raportin e fundit të saj në kuadër të mundësisë së rivendosjes së regjimit të vizave, shprehet se në përgjithësi Kosova vazhdon t’i përmbushë kriteret për liberalizimin e vizave. Nga janari deri në korrik të këtij viti, mesatarisht mbi 550 kosovarë kanë kërkuar azil në vendet e Evropës çdo muaj, shifër kjo më e lartë se mesatarja në gjashtë vitet e kaluara.
Në raportin e KE theksohet se, për Kosovën është akoma herët të bëhen konstatime të sakta se çfarë ndikimi ka pasur liberalizimi i vizave. “Në shtatë muajt e parë të vitit 2024 janë paraqitur 3.905 kërkesa për azil në vendet e BE-së nga shtetasit e Kosovës, që paraqet rritje prej 108 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm”, thuhet në raport. Komisioni Evropian kërkon që autoritetet e Kosovës të vendosin mekanizma për shkëmbimin e të dhënave me vendet anëtare për ta vëzhguar imigrimin e paligjshëm dhe trendet e kërkesave për azil.