Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha të premten se njohja e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë ishte më afër në vitin 2020 kur palët nënshkruan një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në Shtëpinë e Bardhë, sesa që është tani.

Ai i bëri këto komente në një debat të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë, për katër vjetorin e arritjes së asaj marrëveshjeje që u nënshkrua në shtator të vitit 2020 në praninë e ish Presidentit Donald Trump, i cili doli fitues në zgjedhjet e këtij muaji.

Ish kryeministri Hoti tha sot se marrëveshja i mundësoi Kosovës të trajtohet ndërkombëtarisht si një sfidë për integrimin euroatlantik, ndërkaq tani ajo trajtohet si sfidë e sigurisë.

Njohësi i zhvillimeve politike Adriatik Kelmendi, tha se përfshirja më e madhe e Shteteve të Bashkuara në ndërmjetesimin e dialogut dhe marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës e Serbisë, është kërkesë e vazhdueshme e Kosovës. Gjithashtu mungesa e vullnetit politik nga Serbia dhe Kosova për të zbatuar këtë marrëveshje nënkupton një mundësi të humbur.

Në dokumentin e nënshkruar në praninë e Presidentit Trump parashikohej vënia në jetë e lidhjeve rrugore dhe hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe projekte të tjera me një vlerë të përgjithshme që siç u tha atëherë e kalon shifrën 1 miliard euro.

Lëvizja Vetëvendosje atë kohë në opozitë, e kishte parë me rezerva marrëveshjen duke vlerësuar ndërkaq si shumë të rëndësishme njohjen e Kosovës nga Izraeli që ishte pjesë e marrëveshjes.

25 vjet pas luftës, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës e cila u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e vendeve kryesore perëndimore.

Të dyja vendet janë pajtuar në Bruksel dhe Ohër mbi një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, por tensionet mbeten të larta duke shtuar shqetësimin e diplomacisë perëndimore për mundësinë e ripërtëritjes së konflikteve në rajon.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds