Pak ditë pas kapjes nga policia malazeze të një sasie prej 66 kg marijuanë, një tjetër ngarkesë droge e trafikuar nga Shqipëria është kapur nga këto autoritete.
Siç është njoftuar, punonjës të Sektorit të Policisë Kufitare, Stacionit Policor Kufitar Podgoricë, pas disa ditësh aktivitete nën juridiksionin e tyre në zonën e Nabom Traboin, në Tuzi, kanë kontrolluar automjetin dhe personin që e drejtonte atë, M. U. 20 vjecnga Tuzi.
Mësohet se policia ka gjetur në bagazhin e mjetit katër pako të mëdha PVC, me marijuanë me një peshë totale rreth 95 kilogramë.
Prokurori në Prokurorinë e Lartë të Shtetit në Podgoricë është njoftuar për ngjarjen, me urdhër të së cilës M. U. i është hequr liria nën dyshimin se ka kryer veprën penale të prodhimit, posedimit dhe vendosjes në treg të drogave narkotike të paautorizuara, thuhet në njoftim.
Bëhet me dije se po ndërmerren masa dhe veprime me qëllim identifikimin dhe ndjekjen penale të personit që dyshohet se ka transferuar drogën e përmendur nga territori i Shqipërisë në territorin e Malit të Zi, të cilin më pas e ka marrë i dyshuari M. U.