Vite më parë, miliarderi Elon Musk prezantoi një mënyrë të re transporti përmes tubacioneve gjigande poshtë tokës, të quajtur Hyperloop. Vagona në formë kapsulash do të përdorin trysninë e ajrit për të udhëtuar me shpejtësi nëpër tubat nëntokësorë.
Së fundmi, kjo formë e re e transporti masiv ka shënuar një sukses të ri. Kompania e cila po përdor këtë teknologji në Holandë njoftoi kryerjen me sukses të provës për këtë sistem të ri transporti.
Kompania “Hardt” thotë se ka hedhur një hap përpara për ta bërë këtë ide një realitet.”Sot, në testin e parë të suksesshëm, ishim në gjendje të nisnim mjetin, të ndiznim sistemin e drejtimit dhe atë të shtytjes”, shpjegon Marinus van der Meijs, drejtor i Teknologjisë dhe Inxhinierisë në kompaninë Hardt.
Ky sistem përbëhet nga një seri kabinash që lëvizin pezull në ajrin brenda një tubacioni.
Tubacioni, që po përdoret për provat, është 420 metra i gjatë dhe përbëhet nga 34 seksione të veçanta, secili me diametër prej 2.5 metrash.
Projektuesit e sistemit Hyperloop synojnë të kenë kapsula që lëvizin përmes tubave me shpejtësi deri në 700 km në orë, përmes një infrastrukture ku ka presion të ulët ajri duke bërë që kapsulat të hasin më pak rezistencë brendat tubit dhe të lëvizin me shpejtësi të lartë.
Në kompaninë Hardt jemi gati të nisim transportin e pasagjerëve deri në vitin 2030″, këmbëngul ai.
Sipas tij, nuk ka asnjë arsye teknike që do të mund të pengonte funksionimin e këtij sistemi të ri.