Në procesin më voluminoz të zhvilluar ndonjëherë në Itali ndaj mafies u shpallën dënimet për 200 anëtarë të “Ndrangheta”-s që nisnin nga disa muaj në 30 vite burg, në total më shumë se 2000 vite burg.

Salla e gjyqit e sigurisë së lartë u konstruktua në një magazinë mallrash në qytetin Lamezia Terme në rajonin jugor të Kalabrisë. Në këtë sallë të sogurisë së lartë u shqyrtuan aferat e ‘Ndrangheta-s që prej janarit të vitit 2021.

Në qendër në procesit ishin klani i fuqishëm Mancuso nga provinca Vibo Valentia si dhe mbështetësit e tij dhe ndihmësit e mbështetësve të tij. Prokuroria kërkoi 5000 vite burg për të akuzuarit për kontrabandë droge, krijim organizatash mafioze, pastrim parash, mitmarrje dhe tentativa për vrasje.

Ndaj një numri të madh të akuzuarish që konsiderohen  bosë të mafies prokuroria kërkoi dënimin maksimal me 30 vjet heqje lirie. Po ashtu mes të dënuarve ishte edhe 70-vjeçari ish-deputet në parlament, Giancarlo Pittelli, i cili u dënua me 11 vite burg.

Krahas anëtarëve të Ndrangheta-s të dënuar ishin edhe ndihmës të mafies kalabreze në radhët e policisë, politikës, sipërmarrjes, kryetarë bashkie dhe nëpunës.

Shumica e të akuzuarve, të dalë para gjyqit në Lamezia Terme, u arrestuan më 2019 në valën e një aksioni të koordinuar në Itali, Gjermani, Zvicër dhe Bullgari vetëm pasi dhjetra anëtarë të ‘Ndrangheta-s’ shkelën paktin e heshtjes, të ashtuquajturin Omerta.

‘Ndrangheta’ i ka rrënjët e saj në Kalabri, por ndërkohë është aktive në rreth 40 shtete, ndër to edhe në Gjermani. Falë thuajse monopolit të saj, tregtisë europiane të kokainës, kjo është organizata mafioze më e pasur dhe më e fuqishme italiane që ka arritur të nënshtrojë edhe aparatin shtetëror.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *