Policia shqiptarë arrestoi të hënën në Tiranë ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj me një urdhër arresti të lëshuar nga Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, që trajtojnë krimet e pretenduara të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.

Prokuroria e Posaçme tha se kërkoi bashkëpunimin dhe ndihmën e autoriteteve shqiptare për arrestimin e zotit Goxhaj në lidhje me veprat “kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Prokuroria e Përgjithshme në Shqipëri tha se është caktuar masa e arrestit për zotin Goxhaj dhe “në vijim do të realizohen procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi për në Republikën e Kosovës”.

As prokuroria në Hagë e as ajo në Tiranë nuk dhanë hollësi për veprat për të cilat dyshohet zoti Goxhaj, i cili gjatë luftës i ishte bashkuara Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky paraqet rastin e parë të arrestimit të një shtetasi shqiptar me urdhër të Dhomave të Specializuara, që veprojnë në Hagë me ligjet e Kosovës por me personel ndërkombëtar.

Gjykata e Posaçme e cila u themelua nga parlamenti i Kosovës, pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, që përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Por kjo çështje nuk është përfshirë në asnjë nga akuzat e deritashme ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së.

Në dhjetor të vitit të kaluar Gjykata e dënoi me 26 vjet heqje lirie ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa, nën akuzat për vrasje dhe torturë në një qendër paraburgimi gjatë luftës në Kosovë.

Në fillim të muajit prill nisi procesi gjyqësor kundër ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe tre ish zyrtarë të lartë politik, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, të gjithë ish udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata akuzohen për veprat përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.

Aktualisht po zhvillohet edhe procesi kundër ish pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala, i akuzuar për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Që të gjitha i kanë mohuar akuzat, të cilat kanë nxitur reagime në Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999.

Lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, la pas vetes mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds